September 19, 2021

Bekim Haxhiu me numri 109 kandidon për të pestën herë

3 min read

Ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, do t’i hyjë sërish garës për të fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Haxhiu në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, do të jetë në listën e PDK-së me numër 109.

Por, është interesante  se Haxhiu në katër palë zgjedhje ka garuar në listën e PDK-së, me numrin 109, i cili duket se i ka sjellë fat.

Vetë Haxhiu ka thënë se me këtë numër ka garuar në katër palë zgjedhje në të cilat edhe ka fituar bashkë me partinë që përfaqëson, PDK-në.

“Është përgjegjshmëria në punën time si deputet në raport me qytetarë në shërbim të tyre në çdo kohë. Unë nuk kam ndryshuar, nuk e kam ndryshuar as numrin e kandidimit në listat për deputet. Numrin 109 e kemi bërë të veçantë, simbol të punës, përgjegjshmërisë dhe fitores”, tha Haxhiu për Lajme.eu.

Haxhiu kishte garuar në zgjedhjet e vitit 2010 për herë të parë në listën e PDK-së për deputet, me numrin 109, ku kishte arritur të zgjedhet deputet për herë të parë, duke marrë 11 mijë e 200 vota.

Me të njëjtin numër (109) Haxhiu kishte garuar edhe në vitin 2014 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku përsëri kishte arritur të marrë besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Kuvend. Në këto zgjedhje ai kishte marrë 12 mijë 800 vota.

Besnik këtij numri, Haxhiu i kishte qëndruar edhe në zgjedhjet e kaluara që janë mbajtur në qershor të vitit 2017. Në listë me numrin 109, në këto zgjedhje, Haxhiu kishte marrë 14 mijë vota.

Po kështu edhe ne zgjedhjet e 6 tetorit 2019 Haxhiu kishte garuar dhe kishte fituar ulëse në Kuvend me  numrin 109.

Duke qenë se ky numër po del të jetë me fat për Haxhiun, ai ka zgjedhur që edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit të kandidojë për deputet në listën e PDK-së me të njëjtin numër, 109.

Në disa  legjislatura, Haxhiu ishte deputeti më aktiv duke iniciuar shumë tema, plotësim-ndryshime të ligjeve e amendamente për projektligjet që janë shqyrtuar e miratuar.

Në njërën nga seancat, Kuvendi i Kosovës kishte propozuar amandamentin numër 5 për harmonizimin e Ligjit për Sponsorizime me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, i sponsorizuar nga ish deputeti Haxhiu, i cili njihet si përkrahës i madh i sportit në Kosovë.

Për punën e tij si deputet, Haxhiu kishte marrë lëvdata edhe nga kryetari i tij, Kadri Veseli, i cili kishte thënë në një tubim elektoral, se ai është njëri nga deputetët më aktiv që punon pa u lodhur për qytetarët.

“Është aktiv, ua hap telefonin dhe nuk ka asnjë deputet që vrapon me shumë se ai për problemet e qytetarëve. Në ora 02:00 të natës me thirr Bekimin, vjen te spitali për të ndihmuar qytetarët”, kishte thënë Veseli, në një tubim elektoral./Lajme.eu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *